Shqiptarët ankohen shumë, por reagojnë pak. Padrejtësitë i shohim çdo ditë: çmime që rriten, paga që nuk mjaftojnë, punë pa kontrata, premtime boshe nga politika. Të gjithë i dimë. Por kur vjen puna për të ngritur zërin, shumica zgjedh heshtjen.
Na është mësuar durimi si virtyt. “Rri i qetë”, “mos u fut në telashe”, “kështu është ky vend”. Sot këto fjali janë kthyer në një formë dorëzimi kolektiv. Protesta shihet si problem, jo si e drejtë. Reagimi si rrezik, jo si detyrë qytetare.
Sipas opinionit të Elisa Kocaqit, problemi nuk është mungesa e padrejtësive, por mungesa e guximit për t’u përballur me to. “Shqiptarët janë mësuar të flasin vetëm në ambiente private, por heshtin publikisht. Kjo heshtje i shërben gjithmonë pushtetit, kurrë qytetarit,” thekson ajo.
Frika për vendin e punës, për etiketimin apo për izolimin social i mban njerëzit pasivë. Por siç shprehet Kocaqi, “kur frika bëhet mënyrë jetese, humbet dinjiteti”. Askush nuk i respekton ata që pranojnë gjithçka pa kundërshtim.
Historia e ka treguar qartë: të drejtat nuk dhurohen. Fitohen. Kur qytetarët heshtin, padrejtësia kthehet në normalitet. Kur shoqëria përçahet, abuzimi forcohet.
Shqiptarët nuk janë frikacakë. Janë të lodhur, të zhgënjyer dhe të pambrojtur. Por, siç paralajmëron edhe Elisa Kocaqi, “një shoqëri që nuk reagon sot, do të paguajë më shtrenjtë nesër”.
Ndoshta ka ardhur koha që pakënaqësia të dalë nga kafeneja dhe rrjetet sociale, dhe të kthehet në veprim qytetar. Sepse nëse nuk flasim sot, nesër mund të mos kemi më as zë, as vend për të kërkuar të drejtat tona.







