Të premten, vendi ynë do të përjetojë mot të paqëndrueshëm me alternime të vranësirave dhe kthjellimeve të shkurtra, sidomos në zonat e ultësirës perëndimore.

Reshjet e shiut do të nisin që në orët e para të ditës dhe do të vazhdojnë herë pas here deri në mbrëmje, kryesisht me intensitet të dobët, por në disa momente do të shfaqen edhe në formën e shtrëngatave afatshkurtra.

Në zonat malore, veçanërisht në Alpe dhe në verilindje mbi 400–500 metra, si dhe në lindje dhe juglindje mbi 700–800 metra, priten reshje dëbore me intensitet të ulët deri mesatar. Në këto zona, nuk përjashtohen edhe episode të shkurtra me stuhi dëbore.

Pasditja e vonë sjell përmirësim gradual të kushteve atmosferike, me ndërprerje të reshjeve në pjesën më të madhe të territorit.

Era do të fryjë nga juglindja në jugperëndim me një shpejtësi mesatare rreth 7 m/s, ndërsa herë pas here mund të arrijë deri në 15 m/s.