Në Shqipëri është më e lehtë të të japin mend sesa një kompliment.
Këtu edhe po të mbjellësh një lule, del dikush të të thotë pse nuk mbolle dy.

Fillove një punë?
“Po pse nuk punon në profesionin tënd?”
“Vajza ime iku në Gjermani dhe filloi direkt në zanatin e vet.”
Sikur jashtë të presin me daulle e valle.
Harrojnë që emigranti ha bukën me mall, fle me lodhje dhe çohet prapë në 5 të mëngjesit.

E bëre katin e dytë të shtëpisë?
“Po ç’e do more burrë dheu, ke fuqi ta pastrosh?”
Po shqiptari shtëpinë nuk e bën vetëm për sot.
E bën që kur t’i vijë djali nga emigrimi të ketë një dhomë ku të flejë.
E bën që nipërit të kenë ku të qeshin verës.

Bleve një shtëpi?
“Do lash kredi deri sa të bëhesh gjysh.”
More një telefon të mirë?
“Kushedi si e ka blerë.”
Bleve makinë?
“Me kë është marrë kjo?”
Tek ne makina nuk shihet si mund, por si thashethem.

Po jetove thjesht thonë:
“I shkreti, s’ia doli.”
Po u veshe bukur:
“Ky paska rënë në lek.”

Shqiptari është si ai komshiu që të sheh duke lyer portën dhe në vend që të thotë “sa bukur”, pyet sa të kushtoi boja.
Si ato gratë e lagjes që pijnë kafe dhe numërojnë sa herë del e hyn tjetra nga shtëpia.
Si ai burri që të sheh duke ecur përpara dhe mundohet të të kapë nga xhaketa që të mos largohesh shumë.

Këtu po qeshe shumë thonë “diçka ka”.
Po heshte shumë thonë “ka hall”.
Po bëre para “e ka gjetur rrugën”.
Po nuk bëre “s’është i zoti.”

Sikur nuk dimë të gëzohemi për njëri-tjetrin pa futur pak helm në mes.
Komplimentin e kemi me kursim, ndërsa mendjen e japim me shumicë.

Dhe prapë, ky popull lodhet, sakrifikon, ikën larg familjes, ndërton shtëpi tullë mbi tullë dhe mundohet të jetojë me dinjitet.
Prandaj ndonjëherë një “të lumtë” vlen më shumë se një mijë mend.

Elisa Kocaqi
Gazetare