Ka diçka të çuditshme dhe shumë të bukur në mënyrën si fundjavat marrin kuptim ndryshe për secilin prej nesh. Për mua, ato gjithmonë kanë një ndarje që nuk e kam ndryshuar kurrë në ndjesi: mal në ditë dhe det në mbrëmje.

Në mal, dita duket sikur merr frymë më ngadalë. Ajri është më i pastër, mendimet më të qeta, dhe gjithçka të kthen tek vetja. Është vendi ku largohesh nga zhurma dhe kujton thjeshtësinë e gjërave që shpesh i harrojmë gjatë javës së ngarkuar.

Ndërsa deti në mbrëmje është krejt tjetër histori. Është qetësi që flet pa zë, është horizonti që të hap mendimet dhe drita që bie mbi ujë sikur mbyll çdo lodhje të ditës. Aty nuk ka nxitim, vetëm reflektim.

Ndoshta pikërisht për këtë i dua kështu fundjavat: sepse më japin dy botë në një ditë — njëra më rikthen te forca, tjetra më rikthen te qetësia.

Nga Elisa Kocaqi
Drejtuese gazetare, Lajme24