Opinion nga Elisa Kocaqi | Gazetare
Për muaj me radhë, njerëzit protestuan në mënyrë paqësore. Për pesë muaj, zemërimi u shpreh me fjalë, me thirrje dhe me kërkesa. Por sa kohë protesta ishte paqësore, shumë zgjodhën të mos e dëgjonin. Tani që tensionet janë rritur, të njëjtët dalin dhe tallen, shajnë e i etiketojnë studentët.
Po çfarë prisnit? Që njerëzit të heshtin përgjithmonë?
Nuk janë vetëm studentët në rrugë. Janë të rinjtë që shohin një të ardhme të pasigurt, prindërit që mezi mbyllin muajin, familjet që përballen me çmimet e larta dhe qiratë e papërballueshme. Janë pacientët që shqetësohen për shëndetësinë, fermerët që punojnë tokën dhe nuk e dinë nëse do ta shesin prodhimin, pensionistët që llogarisin çdo lek dhe të rinjtë që pyesin veten nëse duhet të largohen nga vendi për të ndërtuar jetën që meritojnë.
Kjo është Shqipëria e përditshme, ajo që nuk shihet gjithmonë nga zyrat e institucioneve dhe as nga dritaret e makinave luksoze.
Kur një familje nuk përballon dot shpenzimet, kur një i ri nuk sheh mundësi për të ecur përpara me punë e meritë, kur një fermer ndihet i braktisur dhe kur qytetari humbet besimin te institucionet, pakënaqësia nuk zhduket duke e quajtur turmë.
Dhuna nuk është zgjidhje dhe asgjë nuk e justifikon atë. Por as zemërimi i qytetarëve nuk mund të fshihet duke dënuar vetëm pamjet e fundit. Duhet të flasim edhe për arsyet që i çuan njerëzit deri këtu, për muajt kur kërkesat e tyre nuk morën vëmendjen që prisnin.
Është e lehtë të tallesh me një protestues. Më e vështirë është të dëgjosh çfarë ka për të thënë. Është e lehtë ta etiketosh një student. Më e vështirë është t’i japësh arsye të besojë se në këtë vend mund të ndërtojë të ardhmen e tij.
Dhe mos harroni: jo çdo njeri që del në rrugë është militant, ashtu siç jo çdo njeri që proteston është i paguar. Njerëzit kanë halle, kanë shqetësime dhe kanë të drejtë të kërkojnë llogari.
Nuk duhet të humbasim thelbin duke u marrë vetëm me zhurmën. Duhet të kërkojmë përgjegjësi për dhunën, por edhe përgjigje për problemet që ushqejnë pakënaqësinë.
Sepse në fund, nuk janë thjesht studentët. Është zemërimi i një shoqërie që kërkon të dëgjohet.
Dhe një shoqëri që nuk dëgjohet, nuk qetësohet duke e tallur.







