Moti në vendin tonë do të nisë me kthjellime dhe intervale të gjata me diell në pjesën më të madhe të territorit. Vija bregdetare dhe zonat e ulëta do të dominohen nga moti i kthjellët, ndërsa në zonat malore do të shfaqen vranësira të pakta dhe kalimtare.
Gjatë orëve të pasdites pritet shtim gradual i vranësirave, kryesisht në veri dhe në disa zona të Shqipërisë së Mesme. Si pasojë, nuk përjashtohen rrebeshe të shkurtra dhe të izoluara shiu, me mundësi më të larta në zonat verilindore të vendit. Ndërkohë, jugu do të vijojë të mbetet kryesisht i qëndrueshëm, me alternime kthjellimesh dhe vranësirash kalimtare.
Temperaturat minimale do të shënojnë një rritje të lehtë, ndërsa ato maksimale do të mbeten pothuajse të pandryshuara. Vlerat pritet të luhaten nga 17°C në zonat më të freskëta malore, deri në 41°C në pjesën më të nxehtë të vendit.
Era do të fryjë me intensitet mesatar deri në 55 km/h, kryesisht nga drejtimi veriperëndimor, duke sjellë në brigjet detare dallgëzim deri në 4 ballë.






