Shqipëria po përballet me një krizë të thellë demografike, teksa emigracioni vijon të mbetet në nivele shumë të larta, veçanërisht pas pandemisë. Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat, vetëm në vitin 2024 emigruan drejt vendeve të BE-së rreth 44 mijë shqiptarë. Në periudhën 2021–2024, të paktën 180 mijë persona janë larguar nga vendi (pa përfshirë Greqinë dhe Mbretërinë e Bashkuar).

Dominon largimi i të rinjve: grupmosha 25–29 vjeç përbën 14.3% të totalit të emigrantëve, e ndjekur nga ajo 30–34 vjeç me 13%. Rreth 62% e të larguarve në 2024 ishin nën 35 vjeç. Po ashtu, vihet re edhe ikja e familjeve të reja, pasi 18% e emigrantëve ishin nën 15 vjeç.

Si pasojë, mosha mediane është rritur ndjeshëm. Në vitin 2025 ajo arriti në 44.3 vjeç, nga 34.7 vjeç në 2015, duke e afruar Shqipërinë me mesataren e BE-së (44.9 vjeç). Paralelisht, lindjet kanë pësuar rënie drastike: nga 82,125 në fillim të viteve ’90 në vetëm 21,425 në vitin 2025. Norma e fertilitetit ka zbritur në 1.21 fëmijë për grua.

Sipas INSTAT, migracioni neto mbetet thellësisht negativ. Në vitin 2024 ai arriti në -43,761 persona (niveli më i lartë i regjistruar), ndërsa në 2025 mbeti i lartë me -28,836 persona.

Kombinimi i emigracionit masiv të të rinjve, plakjes së popullsisë dhe rënies së lindjeve e vendos vendin përballë një sfide serioze demografike dhe ekonomike për të ardhmen.