OPINION NGA ELISA KOCAQI, GAZETARE DHE DREJTUESE E PORTALIT

Shkova te dyqani i mishit për të blerë mish viçi dhe mish të grirë… dhe mbeta pa fjalë. Edhe ato ishin rritur. Sinqerisht, po vjen një moment që nuk dimë më çfarë të blejmë e çfarë të lëmë. Çdo ditë zgjohemi me një çmim të ri, çdo ditë diçka bëhet më e shtrenjtë.

Deri kur kështu? A do lini ndonjë gjë pa e rritur? Sepse për njerëzit që jetojnë me paga normale, me pensione apo me të ardhura të kufizuara, kjo situatë po bëhet e papërballueshme. Nuk bëhet fjalë për luks, por për ushqimet bazë që çdo familje i ka në tryezë.

Nuk është normale që qytetarët të hyjnë në dyqan me një shumë parash në xhep dhe të dalin me gjysmën e produkteve që blinin më parë. Çmimet po rriten, por të ardhurat jo. Dhe kur rritet edhe mishi, që është një nga ushqimet më të nevojshme për familjet, atëherë shqetësimi është më se i drejtë.

Njerëzit nuk po ankohen më për dëshira, por për gjërat bazë të jetës. Dhe kjo është pjesa më e dhimbshme. 💔