Blegtorët e qumështit kanë dalë në protestë përpara institucioneve kryesore në vend, duke kërkuar ndryshime në skemën kombëtare të mbështetjes për vitin 2026. Tubimi u zhvillua pranë Ministrisë së Bujqësisë, Ministrisë së Financave dhe Kryeministrisë, ku fermerët shprehën pakënaqësitë e tyre për politikat aktuale në sektor.
Të pajisur me pankarta dhe thirrje të forta, ata kërkuan më shumë mbështetje për prodhimin vendas, ulje të kostove dhe politika që garantojnë qëndrueshmëri në bujqësi. Mesazhet e tyre u fokusuan te nevoja për subvencione reale, naftë pa taksa dhe mbrojtje të tregut vendas.
Protestuesit theksuan se dalja e tyre nuk ka karakter politik, por synon të tërheqë vëmendjen e institucioneve për vështirësitë që po përballon sektori i blegtorisë.
Ata kërkojnë masa të menjëhershme dhe konkrete për të përmirësuar kushtet e punës dhe për të siguruar një të ardhme më të qëndrueshme për fermerët shqiptarë.







