Nga Etleva Merko

Ç’nuk po na shohin sytë dhe ç’nuk po na dëgjojnë veshët nga kjo politikë e niveleve të ulëta,kaq shumë gjëra sa asgjë nuk na bën më përshtypje. Pavarësisht gjithçkaje kjo nuk duhet të jetë normale…
Për aq kohë sa partitë politike do të vazhdojnë të zgjedhin listat e mbyllura, duke i kthyer ato në lista besnikërie dhe jo përfaqësimi,Parlamenti do të humbasi çdo herë e më shumë thelbin e tij. Në vend që të dërgohen zëra të qytetarëve, shpesh dërgohen “shërbëtorë” të kryetarëve. Në vend të mendimit kritik, shohim bindje të verbër. Në vend të integritetit, shohim interesa personale dhe në vend të debateve konstruktive në favor të qytetarit dëgjojmë debate banale…
Ka deputetë që pas disa mandateve largohen në heshtje drejt pensionit politik, pa lënë asnjë gjurmë dinjitoze në jetën publike. Ka të tjerë që nuk dinë të flasin dhe me nivelin e debatit e ulin standardin e institucionit që duhet të jetë tempulli i demokracisë. Dhe kjo nuk është thjesht çështje individësh, por e një kulture politike që ka pranuar mediokritetin si normë.
Parlamenti duhet të jetë vendi i ideve, i debatit me argumente, i ligjeve që përmirësojnë jetën e qytetarëve. Kur ai shndërrohet në skenë për servilizëm, për sulme personale apo për heshtje të turpshme, humb besimin publik.
Nëse duam ndryshim, duhet të kërkojmë përfaqësim të vërtetë, lista të hapura, llogaridhënie dhe standard më të lartë etik. Sepse niveli i deputetëve është pasqyra e nivelit të demokracisë sonë. Dhe kjo pasqyrë sot ka nevojë urgjente për pastrim.
Deri atëherë, shumë nga debatet politike do të mbeten veç një teatër bosh me zë të lartë, por pa përmbajtje…