Këtë sezon, shqiptarët po konsumojnë më pak domate, jo për shkak të cilësisë apo shqetësimeve për pesticidet, por për shkak të çmimit të lartë që e ka larguar këtë produkt nga tryeza. Aktualisht, një kilogram domate blihet nga fermerët me rreth 250 lekë, ndërsa kur arrin në tregun e Tiranës, çmimi i saj rritet edhe me rreth 100 lekë për kilogram për shkak të kostove të transportit.

Fermeri Qerim Elezi shprehet se çmimi i lartë është i vështirë edhe për vetë prodhuesit: “Po e shes 250 lekë kilogramin dhe më vjen turp, sepse është shumë shtrenjtë, por kostot janë rritur dhe ne si fermerë po punojmë në kushte të vështira.”

Sipas tij, prodhimi këtë vit është përgjysmuar për shkak të kushteve të pafavorshme klimatike. Nga një sipërfaqe prej 2 dynymësh, ai priste të siguronte rreth 200 kuintal domate, por këtë sezon mund të arrijë vetëm rreth 50 kuintal, duke pësuar një humbje të madhe në rendiment.

Ai thekson se ndryshimet klimatike kanë ndikuar drejtpërdrejt në prodhim, sidomos mungesa e diellit gjatë muajit nëntor, e cila ka shkaktuar kalbëzimin e bimëve dhe mosformimin e frutit.

Gjithashtu, fermeri nga fshati Hardhi i Belshit nënvizon se një tjetër faktor që ka ndikuar në rritjen e çmimit janë përmbytjet e nëntorit në zonat e njohura për sera në Berat dhe Dimal, si Samatica dhe Drenovica. Për shkak të dëmeve nga uji, këto zona nuk pritet të japin prodhim në këtë sezon të parë bujqësor, çka ka ndikuar drejtpërdrejt në uljen e ofertës dhe rritjen e çmimeve.