Më pëlqen t’i intervistoj njerëzit larg dritave, larg skenarëve dhe larg asaj që mundohemi të tregojmë në publik. Sepse aty, në një bisedë të thjeshtë, në një shikim të sinqertë apo në një zë që dridhet nga emocionet, fshihet jeta e vërtetë.

Kam kuptuar se çdo njeri ka një histori që nuk duket në rrjete sociale. Dikush fsheh lodhjen pas buzëqeshjes, dikush mban dhimbje që nuk i ka treguar askujt, e dikush tjetër vazhdon të luftojë çdo ditë vetëm për të mos u dorëzuar. Dhe pikërisht këto histori më prekin zemrën.

Për mua gazetaria nuk është vetëm kamera apo lajmi i rradhës. Është të dëgjosh njerëzit me shpirt, t’u japësh hapësirë të flasin, t’i bësh të ndihen të rëndësishëm edhe për disa minuta. Sepse ndonjëherë një njeri ka nevojë vetëm për dikë që ta dëgjojë me vërtetësi.

Unë dua emocionin njerëzor. Dua ato momente spontane që nuk përsëriten dot. Dua të tregoj jetën ashtu siç është: me lot, me shpresë, me lodhje, me dashuri dhe me forcë.

Sepse në fund, historitë më të bukura nuk lindin në studio… lindin te njerëzit e zakonshëm.

Elisa Kocaqi
Gazetare, drejtuese e Portalit Lajme 24