Ministri i Punëve të Jashtme, Ferit Hoxha, ka reaguar për protestën e studentëve shqiptarë në Shkup, të cilëve nuk u lejohet të kryejnë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, pavarësisht se ligji ua njeh këtë të drejtë.
Ministri Hoxha thekson se kjo e drejtë themelore duhet të respektohet dhe se institucionet kanë detyrimin të gjejnë zgjidhje të drejta dhe të qëndrueshme.
“Kam ndjekur me vëmendje shqetësimin dhe kërkesën legjitime të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut për të kryer provimin në gjuhën shqipe. Përdorimi i gjuhës amtare është e drejtë themelore, e garantuar nga Kushtetuta dhe Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, dhe nuk duhet të pengohet nga asnjë procedurë.
Nëse procedurat janë të mangëta ose të paqarta, është detyrë institucionale të gjenden zgjidhje të drejta dhe të qëndrueshme. Kjo çështje duhet trajtuar me maturi dhe përgjegjësi, larg çdo përpjekjeje për politizim, në frymën e respektimit të të drejtave themelore.
Demokracitë kanë mekanizmat dhe pjekurinë për të harmonizuar shtetin ligjor, legjislacionin dhe të drejtat e qytetarëve. Studentët meritojnë përgëzim për angazhimin e tyre qytetar dhe mënyrën demokratike të shprehjes së kërkesës, dhe kjo kërkon një përgjigje me të njëjtin standard përgjegjshmërie, përmes dialogut konstruktiv dhe zgjidhjeve që respektojnë plotësisht të drejtat e garantuara”, shkruan ministri.





