Pas një pritjeje të gjatë, një nga formatet më të ndjekura nga publiku shqiptar, “Ferma VIP”, po rikthehet shumë shpejt në ekran me një sezon të ri. Lajmi është konfirmuar nga faqja zyrtare e formatit në Instagram, e cila publikoi një video promovuese, duke zbuluar edhe datën e nisjes së spektaklit: 27 mars.

Edicioni i ri premton të rikthejë në qendër të vëmendjes eksperiencën unike të jetës në fshat, ku natyra, sfidat dhe ambienti rural janë protagonistë. Pyetja që tashmë ka ndezur kuriozitetin e publikut është: kush do të arrijë të rezistojë deri në fund?

Format i njohur vendos personazhet e famshëm përballë një realiteti krejt ndryshe nga ai që kanë mësuar. VIP-at duhet të lënë pas komoditetin, luksin dhe ritmin e shpejtë të showbizit, për t’u përballur me punët e fermës, jetesën në natyrë dhe sfidat e izolimit.

Mbetet për t’u parë se cilët emra të njohur shqiptarë do të guxojnë të heqin petkun e VIP-it për të veshur çizmet e punës, duke u bërë pjesë e kësaj aventure unike televizive nën drejtimin e Arbana Osmanit, e cila rikthehet sërish në krye të këtij formati.