Reshjet intensive të dëborës gjatë natës së kaluar kanë rikthyer përkohësisht dimrin në zonat malore të Qarkut të Elbasanit, duke mbuluar me dëborë dhjetëra fshatra në katër bashki të tij.
Sipas informacioneve nga terreni, në bashkitë Elbasan, Librazhd, Gramsh dhe Prrenjas, trashësia e dëborës varion nga 15 deri në 25 centimetra. Reshjet nisën rreth orës 20:30 të mbrëmjes dhe vazhduan me intensitet deri pas mesnate, duke krijuar një peizazh tipik dimëror, pavarësisht se jemi në prag të pranverës.
Ndër zonat më të prekura janë Parku Kombëtar i Shebenikut dhe fshati turistik Fushë Studen, si edhe disa fshatra mbi 800 metra lartësi në Njësinë Administrative të Librazhdit, si Orenja, Qarrishta, Dragostunja, Polisi, Babja, Dardha dhe Xhyra, ku dëbora arrin deri në 25 centimetra.
Megjithëse reshjet kanë qenë të dendura gjatë natës, mëngjesi i sotëm është shoqëruar me mot të vranët, por pa reshje të reja. Aktualisht nuk raportohen probleme në qarkullim dhe të gjitha rrugët rurale janë të hapura. Autoritetet lokale po vijojnë monitorimin për të siguruar lëvizjen e sigurt të banorëve në këto zona.






