Nga Elisa Kocaqi – Gazetare
Po e them publikisht dhe pa e dramatizuar: nëse edhe pas disa vitesh punë nuk do të kem mundësi të blej një shtëpi me të ardhurat e mia, do të zgjedh të largohem.
Jo sepse nuk e dua Shqipërinë.
Por sepse nuk dua të kaloj gjithë jetën duke punuar vetëm për të paguar qiranë.
Shtëpitë janë bërë të paarritshme. Çmimet rriten sikur pagat shqiptare të jenë në Evropën Perëndimore, ndërsa shumë rroga vazhdojnë të mos mjaftojnë për një jetë dinjitoze.
Dhe më e keqja nuk është vetëm ekonomia.
Është mungesa e meritokracisë.
Sepse nëse punon, studion, krijon, sakrifikon dhe përsëri duhet të pyesësh veten “kë duhet të njoh?” për të pasur një mundësi, atëherë problemi nuk është mungesa e ambicies.
Është një sistem që nuk po ua kthen gjithmonë njerëzve punën në mundësi.
Unë nuk kërkoj shtëpi falas.
Nuk kërkoj privilegje.
Nuk kërkoj t’i detyrohem askujt.
Kërkoj vetëm të kem mundësi ta blej shtëpinë time me punën time.
Dhe nëse një ditë kuptoj se për ta bërë këtë duhet të largohem nga vendi im, atëherë do të largohem.
Sepse nuk është normale që një i ri të bëjë llogaritë e jetës dhe të zbulojë se më e arritshme është të blejë një biletë avioni sesa një shtëpi.
Dhe ndoshta kjo është pyetja që duhet t’ia bëjmë vetes:
Nëse ata që punojnë, krijojnë dhe duan të ndërtojnë jetën e tyre këtu nuk e përballojnë dot këtë vend, kush do të mbetet?






