Screenshot

OPINION NGA ELISA KOCAQI – GAZETARE DREJTUESE E PORTALIT

Sot shumë të rinj fshihen pas “maskave”, sidomos në rrjete sociale. Duken gjithmonë sikur janë mirë, sikur kanë një jetë perfekte, sikur nuk u mungon asgjë. Postojnë foto të qeshur, dalje me shokët, momente të bukura, por nuk tregojnë anën tjetër të jetës që është më e vështirë.

Por e vërteta është se të tregosh që je mirë kur në fakt nuk je, nuk të bën më të fortë. Dhe të pranosh që nuk je mirë, nuk të bën më të dobët. Asnjëra nuk të ngre dhe asnjëra nuk të ul, thjesht janë mënyra si njerëzit përpiqen të përballojnë jetën.

Shembull i thjeshtë: një i ri mund të jetë i lodhur emocionalisht, mund të ketë probleme në familje apo në shkollë, por në rrjete sociale poston sikur çdo gjë është në rregull. Të tjerët e shohin dhe mendojnë “sa jetë e bukur ka”, ndërsa ai brenda vetes mund të ndihet bosh. Kjo krijon një hendek mes asaj që duket dhe asaj që është në të vërtetë.

Problemi vjen kur kjo maskë bëhet pjesë e përditshme. Kur njeriu fillon të jetojë për imazhin që u jep të tjerëve dhe harron veten. Në atë pikë lodhja bëhet më e madhe, sepse nuk je më i lirë të jesh real.

Prandaj, më mirë të jesh i thjeshtë dhe i vërtetë. Jo perfekt, por real. Sepse në fund, njerëzit që kanë vlerë të duan për atë që je, jo për atë që pretendon të jesh.