Edhe pse vera lidhet me pushimet, detin dhe ditët me diell, për shumë njerëz kjo periudhë shoqërohet me rritje të ankthit. Psikologët theksojnë se temperaturat e larta, ndryshimi i rutinës dhe presioni për të kaluar “pushime perfekte” mund të ndikojnë negativisht në mirëqenien emocionale.

Nxehtësia e fortë mund të shkaktojë lodhje, vështirësi në gjumë dhe irritim, faktorë që shpesh përkeqësojnë simptomat e ankthit. Në të njëjtën kohë, ekspozimi i vazhdueshëm ndaj rrjeteve sociale, ku shfaqen pushime dhe momente ideale, mund të krijojë ndjenja krahasimi dhe pakënaqësie.

Ndryshimet në oraret e përditshme, mungesa e gjumit cilësor dhe dehidratimi janë gjithashtu elementë që mund të ndikojnë në gjendjen psikologjike. Për personat që vuajnë nga çrregullimet e ankthit, këto faktorë mund t’i bëjnë simptomat edhe më të theksuara.

Specialistët këshillojnë të ruhet një rutinë e shëndetshme, të konsumohet mjaftueshëm ujë, të shmanget ekspozimi i gjatë në vapë dhe të mos neglizhohet kujdesi për shëndetin mendor. Nëse ankthi bëhet i vazhdueshëm ose ndikon në jetën e përditshme, rekomandohet konsultimi me një profesionist të shëndetit mendor.