Shifrat e përdorimit të lëndëve narkotike nga të rinjtë në Shqipëri po rriten, duke alarmuar mjekët toksikologë. Sipas tyre, kanabisi po konsumohet në mosha gjithnjë e më të vogla dhe shpesh shërben si “hyrje” drejt drogërave të forta si kokaina.
Toksikologia Sonila Tivari Bitri thotë se po vihet re një ulje e ndjeshme e moshës së përdorimit: kanabisi deri në 11–12 vjeç, ndërsa kokaina në moshat 18–20 vjeç, duke theksuar se dikur konsiderohej substancë “elitare”, ndërsa sot po përhapet edhe te adoleshentët. Sipas saj, kjo sjell pasoja serioze për shëndetin fizik dhe mendor, duke e bërë situatën gjithnjë e më shqetësuese.







