Ditën e mërkurë, Shqipëria do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme, duke sjellë mot me alternime vranësirash dhe reshje lokale shiu.

Sipas parashikimeve, vranësirat do të jenë mesatare deri të dendura në pjesën më të madhe të territorit. Reshjet e shiut do të nisin që në orët e para të mëngjesit në zonat veriore dhe qendrore, me intensitet të ulët dhe karakter lokal.

Gjatë orëve të mesditës dhe pasdites, reshjet pritet të zhvendosen kryesisht drejt zonave qendrore dhe jugore të vendit, ku në momente të caktuara mund të shfaqen edhe shtrëngata të izoluara.

Era do të fryjë me drejtim nga verilindja në jugperëndim, me shpejtësi mesatare rreth 7 m/s, ndërsa në zonat bregdetare dhe lugina herë pas here do të fitojë forcë deri në 14 m/s.

Ndërkohë, deti Adriatik dhe Jon do të paraqiten me valëzim të moderuar, të forcës 2 deri në 3 ballë.