Temperaturat e larta të verës nuk janë sfidë vetëm për njerëzit, por edhe për lulet. Ekspozimi i zgjatur në diell, mungesa e ujit dhe ajri i thatë mund t’i dëmtojnë shpejt bimët, nëse nuk marrin kujdesin e duhur.
Një nga rregullat më të rëndësishme është ujitja në orët e para të mëngjesit ose pas perëndimit të diellit. Në këtë mënyrë uji përthithet më mirë nga rrënjët dhe nuk avullon menjëherë nga nxehtësia.
Po aq i rëndësishëm është edhe vendosja e vazove në ambiente ku marrin dritë, por mbrohen nga rrezet e forta të mesditës. Lulet që qëndrojnë gjatë në diellin përvëlues mund të humbasin ngjyrën, të vyshken ose të digjen.
Gjethet dhe lulet e thara duhen hequr rregullisht. Kjo ndihmon bimën të përqendrojë energjinë te rritja e pjesëve të reja dhe e mban më të shëndetshme gjatë gjithë sezonit.
Edhe plehërimi duhet bërë me kujdes. Gjatë verës rekomandohet përdorimi i sasive të moderuara të plehut, pasi teprica, e kombinuar me temperaturat e larta, mund të dëmtojë rrënjët.
Mos harroni të kontrolloni shpesh edhe praninë e insekteve ose dëmtuesve, të cilët shumohen më lehtë në mot të nxehtë. Një kontroll i rregullt ndihmon që problemet të zbulohen dhe të trajtohen në kohë.
Me pak përkushtim çdo ditë, lulet mund të mbeten të freskëta, plot ngjyra dhe të zbukurojnë shtëpinë apo kopshtin gjatë gjithë verës.






