Megjithëse aksidentet rrugore, sipas statistikave, kanë shënuar rënie, fenomeni mbetet shqetësues, pasi herë pas here vijon të shkaktojë humbje jete.
Sipas ekspertëve, në shumicën e rasteve përgjegjësia për ngjarjet rrugore bie mbi drejtuesit e mjeteve, por edhe këmbësorët kanë pjesën e tyre të fajit. Shpesh këta të fundit nuk respektojnë sinjalistikën rrugore ose kalojnë rrugën jashtë vendkalimeve të përcaktuara.
Një problem tjetër i rëndësishëm lidhet me mosmirëmbajtjen e infrastrukturës dhe sinjalistikës rrugore nga institucionet përgjegjëse, përfshirë Bashkinë e Tiranës dhe strukturat në varësi të saj. Kjo situatë ngre shqetësime për eficiencën dhe përgjegjshmërinë e administratës që financohet nga taksat e qytetarëve.
Ekspertët e sigurisë theksojnë se elementë si vijat e bardha, semaforët dhe tabelat e kufizimit të shpejtësisë duhet të monitorohen dhe mirëmbahen në mënyrë të vazhdueshme, për të garantuar sigurinë e të gjithë përdoruesve të rrugës.







