Nga Elisa Kocaqi, gazetare

Sot është e vështirë t’i besosh politikës. Jo sepse njerëzit nuk duan të besojnë, por sepse janë lodhur nga mashtrimet e njëpasnjëshme. Premtime para zgjedhjeve, zhgënjim pas zgjedhjeve. Fjalë të mëdha, rezultate të vogla. Dhe kjo histori përsëritet prej vitesh.

Unë personalisht e kam humbur besimin tek pothuajse çdo politikan që ka qenë pjesë e këtij sistemi. Sepse kur sheh të njëjtat fytyra, të njëjtat justifikime dhe të njëjtat dështime, e kupton që problemi nuk është rastësi – është mënyrë funksionimi. Politika është kthyer në karrierë personale, jo në shërbim ndaj qytetarëve.

Shqipërisë i duhen njerëz të rinj, të papërlyer, të pa politizuar nga interesat e vjetra. Njerëz që nuk hyjnë në politikë për pushtet, por për ndryshim. Që nuk kanë borxhe morale ndaj askujt dhe nuk janë të lidhur me skemat e vjetra të kompromisit.

Besimi nuk rikthehet me slogane. Rikthehet me integritet, transparencë dhe përgjegjësi. Derisa kjo të ndodhë, zhgënjimi do të mbetet më i fortë se shpresa. Por ndoshta pikërisht ky zhgënjim është hapi i parë drejt një fillimi të ri.