Ka ardhur një moment kur duhet ta themi troç: jemi bërë për lëmë.
Protesta që zgjasin pa një kokë të qartë, pa një strategji dhe pa një zë që të mbledhë njerëzit rreth një qëllimi. Njerëz që dalin në rrugë të lodhur, të zhgënjyer, shpesh edhe pa besim se dikush do t’i dëgjojë.
Por një gjë nuk duhet ta harrojmë: rruga dhe protesta janë të qytetarit.
Nëse një njeri del në rrugë sepse nuk pajtohet me atë që po ndodh në vendin e tij, ai nuk duhet parë si armik. Ai është qytetar. Dhe për sa kohë proteston në mënyrë paqësore dhe brenda ligjit, ka të drejtën e tij të protestojë.
Sot kemi një pushtet që prej vitesh është mësuar të përballet me kundërshtimin. Dhe sa më shumë rritet pakënaqësia, aq më shumë krijohet përshtypja e një pushteti që nervozohet përballë zërit qytetar.
Por pushteti nuk duhet të ketë frikë nga qytetari.
Pushteti duhet t’i përgjigjet qytetarit.
Nëse ka shkelje ligji, drejtësia duhet të veprojë mbi prova dhe mbi ligj. Por burgosja apo ndëshkimi nuk mund të bëhet mënyrë për të heshtur kundërshtimin politik dhe qytetar.
Unë nuk shkruaj këtë si militante partie. E shkruaj si gazetare dhe si një grua që e do vendin e saj.
Sepse ta duash Shqipërinë nuk do të thotë të duartrokasësh çdo qeveri.
Ta duash Shqipërinë do të thotë të kesh kurajën t’i thuash edhe pushtetit: këtu nuk jam dakord.
Dhe nëse nesër vendos të dal në rrugë për të protestuar për diçka që besoj, dua ta di se kjo e drejtë më takon si qytetare.
Sepse Shqipëria nuk është pronë e një partie, e një qeverie apo e një politikani.
Shqipëria është e qytetarëve të saj.
— Elisa Kocaqi
Gazetare





