Policia e Lezhës ka zbardhur një ngjarje vjedhjeje që ndodhi së fundmi në një shkollë 9-vjeçare të qytetit, ku u grabitën pajisje teknologjike dhe u dëmtuan ambientet e brendshme.
Pas kallëzimit të bërë nga drejtoresha e institucionit, e cila raportoi thyerjen e pesë dyerve dhe mungesën e dokumenteve dhe pajisjeve, grupi hetimor ka identifikuar dy të mitur, një 17-vjeçar dhe një 14-vjeçar, si autorë të dyshuar.
Nga analizimi i pamjeve të kamerave të sigurisë ka rezultuar se në këtë vjedhje kanë marrë pjesë gjashtë persona. Sipas hetimeve, ata kanë marrë me vete 16 laptopë dhe pajisjen DVR që regjistronte pamjet e kamerave.
Aktualisht, dy të miturit po procedohen në gjendje të lirë, ndërsa policia vijon punën për të identifikuar katër bashkëpunëtorët e tjerë dhe për të rikuperuar pajisjet e vjedhura.






