Ndahet nga jeta ish-deputeti Hamit Kosta, një figurë e njohur e Peqinit
Në moshën 70-vjeçare, ka ndërruar jetë ish-deputeti Hamit Kosta, i njohur për angazhimin e tij në jetën politike dhe publike të zonës së Peqinit. Lajmi ka sjellë trishtim tek familjarët, miqtë, bashkëpunëtorët dhe qytetarët që e njohën nga afër.
Gjatë karrierës së tij politike, Kosta shërbeu si deputet i Partisë Socialiste në legjislaturën 2005-2009, duke kontribuar në përfaqësimin e komunitetit dhe zhvillimin e zonës që përfaqësonte.
Pas përjashtimit nga PS-ja për shkak të votës për zgjedhjen e Bamir Topit si president, Kosta iu bashkua PDK-së, e cila atëkohë ishte pjesë e koalicionit qeverisës nën drejtimin e ish-kryeministrit Sali Berisha. Ai ka mbajtur gjithashtu detyrën e drejtorit të Burgut të Sigurisë së Lartë në Peqin.






