Gazetarja Klodiana Lala ka bërë publike detaje të reja lidhur me një vendim të GJKKO, i cili lidhet me hetimet ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

E ftuar në News24, Lala u shpreh se vendimi është marrë më 19 mars nga gjyqtari i posaçëm Erion Çela dhe i jep mundësi SPAK të analizojë celularët dhe pajisjet elektronike të personave të lidhur me Ballukun.

Sipas saj, ky vendim ndikon drejtpërdrejt në thellimin e hetimeve ndaj ish-numrit dy të qeverisë. Ajo rikujtoi se që nga dhjetori 2025 dhe janari 2026, me vendim të GJKKO, agjentët e BKH kanë kryer kontrolle në banesat dhe ambientet personale të personave të konsideruar të afërt me Ballukun.

Mes tyre përmenden ish-vartësit Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, si edhe zyrtarë të tjerë të lartë.

Ndërkohë, prokurorët e SPAK kanë marrë leje për të kontrolluar edhe pajisjet e disa biznesmenëve, përfshirë Arbër Abazidhe Ilir Shtufi, të cilët dyshohet se kanë përfituar tendera gjatë periudhës kur Balluku ishte në detyrë.