Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, i cili pak ditë më parë njoftoi interesin për të kandiduar për Bashkinë e Tiranës, ka bërë një hap të ri drejt këtij qëllimi.
Ai ka dërguar një kërkesë zyrtare në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ku kërkon informacion mbi numrin e votave që ka marrë gjatë gjithë karrierës së tij si ligjvënës. Në dokumentin e publikuar në media, Braçe kërkon të dijë rezultatet e tij në të gjitha zgjedhjet ku ka kandiduar për deputet, duke filluar që nga viti 1996, kur u zgjodh për herë të parë në qarkun e Beratit, deri tek mandatet e fundit në qarkun e Lushnjës.
Kërkesa për informacion është dorëzuar më 24 mars, ndërkohë që vetëm katër ditë më pas, më 28 mars, Braçe deklaroi gjatë një takimi të Asamblesë së Njësisë 5 se është i gatshëm të kandidojë për Bashkinë e Tiranës.
“Sot ka nevojë për një organizim ndryshe brenda radhëve të socialistëve. Prandaj, në këtë situatë, do të kërkoj mbështetjen e të gjithë socialistëve, jo vetëm të njësisë 5, por në të gjithë Tiranën,” u shpreh Braçe gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PS.







