Kuvendi i Shqipërisë zhvillon sot, në orën 17:00, seancën plenare të radhës, sipas rendit të ditës të miratuar me urdhër të Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.
Në nisje të seancës pritet miratimi i procesverbaleve të seancave plenare të datave 12 dhe 17 mars 2026, në përputhje me Rregulloren e Kuvendit.
Më pas, seanca do të vijojë me rubrikën e njoftimeve, ndërsa pjesa kryesore e rendit të ditës i kushtohet diskutimeve mbi çështjet e evidentuara nga zgjedhësit.
Koha totale e diskutimeve, e cila mund të zgjasë deri në 4 orë, ndahet mes shumicës dhe pakicës parlamentare, duke përfshirë edhe deputetët jashtë grupeve. Sipas minutazhit të përcaktuar:
- Grupi parlamentar i Partisë Socialiste do të ketë 142 minuta.
- Grupi parlamentar i Partisë Demokratike do të ketë 60 minuta.
- Grupi “Aleanca për Ndryshim” dhe grupi “Partia e Lirisë” do të kenë nga 12 minuta secili.
- Deputetëve jashtë grupeve parlamentare u janë caktuar 16 minuta në total, me 2 minuta për secilin diskutant.
Seanca pritet të përqendrohet në problematikat e ngritura nga qytetarët, duke reflektuar shqetësimet dhe çështjet e adresuara nga zgjedhësit në zona të ndryshme të vendit.






