Ambasada e SHBA-ve në Shqipëri ka lëshuar një njoftim sigurie, duke paralajmëruar qytetarët amerikanë për një rrezik të mundshëm që lidhet me grupe të afërta me Iranin. Sipas këtij njoftimi, këto grupe mund të shënjestrojnë individë apo objekte të lidhura me Shtetet e Bashkuara, si edhe pjesëtarë të opozitës iraniane që jetojnë në Shqipëri.
Në reagim ndaj këtij zhvillimi, deputeti dhe njëkohësisht kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka bërë thirrje që Presidenti i Republikës të mbledhë urgjentisht Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
Mediu thekson se Shqipëria prej vitesh ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin dhe mbetet një aleat i ngushtë i SHBA-ve. Ai nënvizon gjithashtu se në territorin shqiptar ndodhet një nga komunitetet më të mëdha të organizuara të rezistencës iraniane.
Në deklaratën e tij, ai kujton se qeveria shqiptare, me iniciativë të Kryeministrit Edi Rama, e ka shpallur Gardën Revolucionare Iraniane si organizatë terroriste. Po ashtu, ai përmend edhe rastet e sulmeve kibernetike ndaj institucioneve kryesore shtetërore, të cilat kanë rritur shqetësimet për sigurinë kombëtare.
Reagimi i plotë:
Ambasada e SHBA ka publikuar sot mbasdite vonë një alarm sigurie. Ku i bën thirje shtetasve Amerikanë të kenë kujdes se grupe të lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë subjekte të lidhura me Shtetet e Bashkuara ose elementë të rezistencës Iraniane në Shqipëri.
Prej vitesh Shqipëria ka shkëputur marrëdhëniet diplomatike me Iranin, është partner me SHBA, ka sot prezencën më të madhe të organizuar të Rezistencës Iraniane.
Me propozimin e Ramës u shpall organizatë terroriste Garda Iraniane, po ashtu sulmet kibernetike janë rritur duke sulmuar institucione të rëndësishme. Çfarë presim të ndodh???
Përballë kësaj situate Presidenti i Republikës duhet të thërrasë urgjentisht Këshillin e Sigurisë Kombëtare i cili është zhvlerësuar dhe është inegzistent prej kohësh.
Bëni punën tuaj që ju ka caktuar Kushtetuta dhe ligji dhe për të cilën paguheni.
Këshilli i Sigurisë Kombëtare të bëj analizën e situatës, në bashkëpunim me partnerët, shërbimet inteligjente të marra masat që duhen urgjentisht, për tu organizuar dhe ruajtur nga çdo sulm i cili mund të jetë jo thjeshtë ai me raketa dhe dronë siç mendojnë dhe flasin shumë, por dhe me veprime subversive, të organizuara nga Irani, sulme në infrastrukturë kritike dhe interesa jetike të qytetarëve etj.
Shteti nuk është pushteti i Kryeministrit dhe Qeveria. por janë të gjitha Institucionet që kanë primare interesin e ruajtjes së sigurisë kombëtare dhe sigurisë së qytetarëve të cilës duhet ti shërbejë politika dhe institucionet.
Boll me deklarime sa naive dhe idioteske se Ne nuk kemi probleme se na mbron NATO. Anëtarësimi në NATO nuk do të thotë të heqësh dorë nga mbrojtja e sigurisë kombëtare dhe mos të vlerësosh kërcënimet.







