Ditën e enjte vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme.
Moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura në pjesën më të madhe të territorit.
Reshjet e shiut do të jenë të pranishme herë pas here që nga orët e para të ditës deri në mëngjes, me intensitet të ulët. Gjatë pjesës së mbetur të ditës, reshjet pritet të vazhdojnë në mënyrë të ndërprerë, kryesisht të dobëta, por në momente të shkurtra mund të marrin formën e shtrëngatave.
Në zonat malore të Alpeve, si dhe në verilindje dhe juglindje, mbi lartësinë 1000–1100 metra, priten reshje bore me intensitet të ulët, ndërsa në disa zona mund të arrijnë deri në mesatar.
Era do të fryjë me drejtim verilindje – juglindje, me një shpejtësi mesatare rreth 8 m/s. Në vijën bregdetare dhe në zonat luginore, herë pas here era mund të forcohet duke arritur deri në 18 m/s.
Në detin Adriatik dhe Jon parashikohet valëzim i moderuar, me forcë 3 deri në 5 ballë.







