Në një moment tjetër të bisedës në podcastin e Grida Duma Podcast, Anita Haradinaj ndau një reflektim mbi rolin dhe mënyrën se si shfaqen publikisht bashkëshortet e politikanëve, duke theksuar se shpesh ato qëndrojnë shumë të distancuara nga shoqëria.
Në dialog me Grida Duma, bashkëshortja e ish-kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj tha se një nga gjërat që nuk i pëlqen është fakti që shumë prej tyre mbeten “hermetike” dhe nuk paraqiten në publik si njerëz të zakonshëm.
“Duhet të shfaqen jo sepse janë gra politikanësh, por thjesht si njerëz. Mandati është një kontratë pune. E ke për katër vjet dhe një ditë nuk do të jesh më në atë pozicion. Nuk je monarki, nuk je mbretëreshë dhe nuk e trashëgon dot,” u shpreh ajo.
Haradinaj bëri edhe një krahasim mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke theksuar se në Kosovë politikanët dhe familjarët e tyre shihen më shpesh në ambiente të zakonshme shoqërore.
“Çuditem sidomos këtu në Shqipëri. Në Kosovë mund të takosh edhe ministra në një lokal apo bar në mbrëmje, duke qëndruar me shoqërinë e tyre. Ndërsa këtu janë shumë më të mbyllur. Nuk më ka ndodhur pothuajse kurrë të shoh, për shembull, bashkëshorten e një politikani duke pirë kafe me shoqet. Përveç një rasti kur kam pirë kafe me Monika Kryemadhi,” tha ajo.
Anita Haradinaj shtoi gjithashtu se e ka vlerësuar stilin e drejtpërdrejtë të Grida Duma gjatë kohës kur ishte deputete. Ajo përmendi si figura që i pëlqejnë në politikën shqiptare edhe Jozefina Topalli dhe Monika Kryemadhi, duke theksuar se tek Kryemadhi vlerëson veçanërisht temperamentin e saj rebel.






