— Elisa Kocaqi, gazetare & drejtuese e portalit Lajme 24
Kam besuar. Kam shpresuar. Kam menduar se ndoshta këtë herë do të ishte ndryshe.
U kam besuar partive të vjetra politike, si shumë të tjerë që kërkojnë thjesht një vend ku fjala të ketë vlerë dhe puna të mos shkelet me këmbë. Por realiteti më ka treguar diçka tjetër një cikël të pafund premtimesh, zhgënjimesh dhe harrese.
Sot e them pa asnjë hezitim: jam zhgënjyer nga të gjithë.
Asnjëherë nuk kam përfituar asgjë nga askush. As si gazetare, as si qytetare. Çdo gjë që kam arritur deri më sot është rezultat i punës sime, i netëve pa gjumë, i sakrificës dhe i këmbënguljes. Premtimet për ndihmë kanë qenë të shumta… por kur ka ardhur momenti i së vërtetës, askush nuk ka qenë aty.
Kjo nuk është vetëm historia ime. Është historia e shumë njerëzve që besuan, që votuan, që shpresuan dhe u lanë vetëm.
Prandaj sot nuk flas më me iluzione. Nuk dua më një politikë 35-vjeçare që përsërit veten, që ndërron vetëm fytyrat por jo mentalitetin. Nuk dua më një sistem ku vlerësohesh nga lidhjet dhe jo nga puna.
Unë dua ndryshim të vërtetë. Jo fjalë. Jo fasadë. Jo premtime që harrohen sapo mbyllen kutitë e votimit.
Ky është zëri im. Dhe besoj se është zëri i shumë njerëzve që sot ndihen njësoj.







