Tirana feston sot Ditën e Verës, ndërsa disa rrugë kryesore të kryeqytetit janë të kufizuara për qarkullimin e automjeteve, sipas masave të përcaktuara më parë nga Policia e Shtetit dhe Bashkia e Tiranës.

Për shkak të aktiviteteve festive në qytet, lëvizja e mjeteve është ndaluar në disa akse kryesore. Qarkullimi është i kufizuar nga mbrëmja e 13 marsit, ora 22:00, deri sot në orën 18:00, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga ish-Hotel Dajti deri në kryqëzimin me rrugën “Ismail Qemali”, për të vijuar më pas në kryqëzimin me rrugën “Gjergj Filipi” dhe deri në fillim të sheshit “Nënë Tereza”.

Gjithashtu, nga ora 12:00 e së premtes deri në orën 02:00 të mëngjesit të 15 marsit, qarkullimi është ndaluar edhe në rrugën “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri në kryqëzimin me rrugën “Brigada VIII”, si dhe në rrugën “Pjetër Bogdani”, nga kryqëzimi me rrugën “Sami Frashëri” deri në kryqëzimin me rrugën “Gjin Bue Shpata”.

Këto masa janë ndërmarrë për të siguruar zhvillimin e qetë të aktiviteteve festive dhe për t’u mundësuar qytetarëve të festojnë në paqe.