Shqipëria do të përjetojë një fundjavë me mot të kthjellët dhe temperatura ekstremisht të larta, ku termometri pritet të shënojë deri në 41 gradë Celsius në disa zona të vendit.

Sipas parashikimeve meteorologjike, moti i nxehtë do të vijojë edhe në ditët e para të javës së ardhshme, falë ndikimit të masave të qëndrueshme ajrore dhe anticikloneve që dominojnë rajonin.

Sinoptikania Elida Maloçali shpjegon se temperaturat e larta lidhen me praninë e një sistemi të fuqishëm me presion të lartë atmosferik mbi Evropë, të kombinuar me ndikimin e anticiklonit afrikan dhe atij të Azoreve.

Gjatë fundjavës pritet mot me diell në të gjithë vendin, ndërsa vranësira të pakta do të shfaqen vetëm në zonat malore. Era do të fryjë e lehtë, me shpejtësi deri në 7 metra në sekondë, ndërsa deti do të paraqitet i qetë, me valëzim 1-2 ballë.

Temperaturat minimale do të luhaten rreth 22°C, ndërsa ato maksimale do të arrijnë deri në 41°C, duke e bërë fundjavën ndër më të nxehtat e këtij sezoni.

Një ndryshim i motit pritet nga mesi i javës së ardhshme. Parashikimet tregojnë shtim të vranësirave dhe reshje shiu me intensitet të ulët në pjesën më të madhe të vendit, ndërsa në disa zona nuk përjashtohen shtrëngata afatshkurtra të shoqëruara me shkarkesa elektrike.

Po ashtu, era pritet të forcohet, duke arritur shpejtësi nga 8 deri në 18 metra në sekondë, çka do të sjellë edhe një ulje të ndjeshme të temperaturave. Maksimumet nuk pritet të kalojnë 35-36 gradë Celsius, duke sjellë një lehtësim të përkohshëm pas valës së të nxehtit.