Kosova dhe Serbia kanë rënë dakord që të funksionalizojnë komisionin e përbashkët për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, pas raundit të dialogut me Serbinë të zhvilluar në Bruksel, tha se tani mbetet që javët e ardhshme të takohen “zëvendësit tanë dhe të përcaktojnë prioritetet e para për punën e komisionit të përbashkët”.

“Qëllimi ishte që të arrijmë dakordim që sot ta funksionalizojmë komisionin e përbashkët për jetësimin apo zbatimin e Marrëveshjes për personat e pagjetur në mes të kryeministrit (të Kosovës, Albin] Kurti dhe presidentit [të Serbisë, Aleksandar) Vuçiç. Takimet ishin të suksesshme dhe në fund arritëm që përfundimisht ta jetësojmë këtë objektiv”, tha Bislimi.