Nëse merrni një telefonatë nga dikush që pretendon të jetë punonjës i bankës dhe ju kërkon të dhëna të kartës bankare ose informacione personale, mos i jepni ato, edhe nëse në ekran shfaqet emri ose logoja e bankës.

Kjo mund të jetë një përpjekje mashtrimi për të hyrë në llogaritë tuaja. Ky paralajmërim vjen nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike.

“Qytetarë të ndryshëm na kanë raportuar se po marrin telefonata mashtruese që përdorin platforma online dhe burime të ndryshme, si Gmail, rrjetet sociale (Instagram, Facebook) dhe të tjera. Ata përdorin logot e bankave për të dukur të besueshëm dhe disa flasin në gjuhë të huaj për të krijuar një imazh profesional dhe ndërkombëtar”, tha eksperti.

Specialistët këshillojnë qytetarët të jenë të vëmendshëm dhe të raportojnë menjëherë çdo rast të dyshimtë pranë bankës së tyre.