Në vitin 2025, numri i mjeteve në qarkullim në Shqipëri e kaloi për herë të parë shifrën e 1 milion (1.061.000), nga të cilat 850 mijë janë autovetura. Kjo rritje ka qenë e ndjeshme, me një shtesë prej rreth 100 mijë mjeteve në vit gjatë dy viteve të fundit, 2024-2025, sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor.

Në dy muajt e parë të vitit 2026, importimi i mjeteve vijon në ritme të larta, me 14 mijë mjete të tjera të importuara, duke shënuar një rritje prej 5%. Ndërkohë, edhe pse importi i mjeteve elektrike ka pasur rritje, ato mbeten ende një përqindje shumë e ulët në raport me totalin, vetëm 1.3%.

Përsa i përket llojit të karburantit, vendi dominon me mjete që përdorin naftë, përkundër trendit të Europës që po orientohen gjithnjë e më shumë drejt benzinës, mjeteve hibride dhe elektrike. Gati 69% e mjeteve në qarkullim janë të furnizuara me naftë, 19% janë me benzinë, dhe rreth 8% janë hibride, të pajisura me benzinë dhe gaz. Gjatë vitit 2025, rreth 20% e mjeteve të importuara vijnë nga Koreja e Jugut, e cila ka ofruar çmime konkurruese që kanë nxitur blerjen e tyre.