Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, reagoi ndaj akuzave të Jorida Tabakut dhe deputetëve të opozitës lidhur me kërkesën për një mocion me debat mbi procesin e integrimit europian.
Balla theksoi se opozita këmbëngul për zhvillimin e këtij debati, duke e ngritur vazhdimisht çështjen edhe në Konferencën e Kryetarëve, por pa propozuar një datë konkrete. Sipas tij, mazhoranca ka sugjeruar që debati të mbahet më 14 maj, në kuadër të Javës së Europës.
Ai shtoi gjithashtu se Partia Socialiste nuk i nënshtrohet presionit të Partisë Demokratike për miratimin e propozimeve të saj ligjore, duke theksuar se opozita nuk ka mbështetur asnjë prej ligjeve që lidhen me përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian.
Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, kundërshtoi deklaratat e Ballës, duke akuzuar mazhorancën se ka përjashtuar opozitën nga procesi i integrimit. Ai u shpreh se deputetët e opozitës nuk janë informuar ende mbi listën e ligjeve që duhet të harmonizohen me legjislacionin e BE-së, pavarësisht kërkesave të përsëritura.






