Irena Gjoka ka rrëzuar të gjitha kërkesat e të pandehurve për shpalljen të pavlefshme dhe të papërdorshme të provave, duke hapur rrugën për vijimin e procesit gjyqësor.

Gjykata e Posaçme vendosi të pranojë kërkesën e prokurorit Sotir Kllapi për kalimin në gjykim të dosjes që përfshin ish-presidentin Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi.

Sipas akuzës së ngritur nga SPAK, Meta dhe Kryemadhi dyshohen për vepra penale që lidhen me korrupsionin, fshehjen e pasurisë dhe pastrimin e parave. Në të njëjtën çështje janë përfshirë edhe Pirro Xhixho, i akuzuar për korrupsion pasiv, si dhe Ema Çokun dhe Fatime Kryemadhi, të cilët përballen me akuza për pastrim parash.

Hetimet për këtë çështje u përmbyllën në gusht të vitit 2025, ndërsa vendimi për kalimin në gjykim u mor këtë të mërkurë, pas një procesi të zgjatur shqyrtimi.

Sipas materialeve hetimore, ndaj Metës rëndojnë disa episode, përfshirë çështjen e njohur si marrëveshja CEZ-DIA, aktivitetet e lobimit dhe shpenzimet familjare. Ndërkohë, ndaj Kryemadhit janë evidentuar disa raste të dyshuara korrupsioni.

Për sa i përket Xhixhos, hetimet sugjerojnë se ai mund të ketë përdorur funksionin e tij si drejtues i AKEP për të ndikuar në vendimmarrjen e një kompanie telefonike, në lidhje me një marrëveshje interkonjeksioni.

Procedimi penal ka nisur në vitin 2019, pas depozitimit të dy kallëzimeve pranë SPAK.