Çmimi i naftës është rritur sërish gjatë ditës së sotme edhe me 10-14 lekë për litër, duke arritur në disa pika në 210 deri në 214 lekë për litër.
Reflektimi erdhi pasi në bursa çmimi i naftës dhe gazit në bursa kërceu në 115-199 dollarë për fuçi ndërsa sulmet ndaj infrastrukturës kryesore energjetike në Lindjen e Mesme shtuan frikën për një mungesë globale furnizimi.
Katari njoftoi se sulmet me raketa nga Irani kanë dëmtuar një objekt kyç për eksportin e gazit të lëngshëm (LNG). Ky veprim erdhi pas paralajmërimeve të Teheranit për të goditur objekte energjetike në Katar, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, në përgjigje të bombardimeve izraelite ndaj një impianti përpunimi gazi në Iran.
Në tregjet ndërkombëtare, nafta Brent për dorëzim në maj u rrit me rreth 11%, duke arritur në 119.11 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane West Texas Intermediate (ËTI) u rrit me 3%, në 99.29 dollarë për fuçi.
Edhe çmimet e gazit u rritën ndjeshëm. Në Europë, çmimi në qendrën holandeze TTF u rrit me 24%, në 68.22 euro për megavat/orë, megjithëse më pas u zbut nga nivelet më të larta. Në SHBA, gazi natyror u rrit me 4.8%, në 3.21 dollarë për milion njësi termike britanike, ndërsa benzina për dorëzim në prill u rrit gjithashtu me 4.8%, duke arritur në 3.25 dollarë — niveli më i lartë në gati katër vite.






