Operatorët e transportit publik kanë paraqitur si kërkesë kryesore një kompensim prej 100 lekësh për litër karburanti, për një periudhë 6-mujore. Kjo kërkesë është pjesë e një “Pakete antikrizë emergjente”, e cila u është dorëzuar ministrive më 1 prill, me qëllim shmangien ose reduktimin deri në 30% të shërbimit në nivel kombëtar.
Lidhur me këtë masë, Kostandin Foni, kryetar i Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas, deklaroi për “Monitor” se skema është e zbatueshme, pasi është e ngjashme me atë të aplikuar në vitin 2022.
Sipas propozimit, kompensimi do të jepet për një periudhë 6-mujore, ndërsa fondi i nevojshëm llogaritet rreth 300 milionë lekë, ose afërsisht 3 milionë euro. Foni theksoi se, përveç dokumentacionit të disponueshëm nga operatorët mbi blerjet dhe shpenzimet për karburant, edhe niveli i konsumit është i qartë dhe i pandryshuar krahasuar me vitin 2022.
Ai shtoi se skema parashikon një mekanizëm kompensimi financiar të drejtpërdrejtë, të bazuar në faturat reale të furnizimit me karburant, deklarimet tatimore dhe konsumin e verifikuar sipas aktivitetit të licencuar. Sipas tij, kjo është një skemë e provuar më parë gjatë një periudhe krize, e cila ka rezultuar efektive në uljen e kostove për operatorët.







