Screenshot

Në fshatin Suk 1, në Bashkinë Roskovec, qarku Fier ,ka nisur ndërtimi i një termocentrali (TEC). Lajmi është bërë i ditur nga banorët e zonës, të cilët shprehen të shqetësuar për pasojat që mund të sjellë ky investim, për shkak të afërsisë me zonat e banuara dhe tokat bujqësore.

Sipas banorëve, ndërtimi i një TEC-i pranë banesave përbën rrezik potencial për shëndetin publik, për shkak të ndotjes së ajrit që mund të shkaktohet nga emetimet e gazrave dhe substancave të tjera të dëmshme. Termocentralet që përdorin lëndë djegëse fosile çlirojnë në atmosferë dioksid karboni (CO₂), okside azoti (NOx) dhe grimca të imëta, të cilat ndikojnë negativisht në cilësinë e ajrit dhe, rrjedhimisht, në shëndetin e komunitetit.

Një tjetër shqetësim i ngritur lidhet me ndikimin në bujqësi. Fshati Suk 1 ,2 dhe rrethë tij njihen për prodhimin e zhvilluar bujqësor dhe për numrin e madh të serave. Banorët theksojnë se ndotja e ajrit dhe depozitimi i grimcave në tokë mund të dëmtojnë kulturat bujqësore, të ulin rendimentin dhe të ndikojnë në cilësinë e produkteve. Duke qenë se ekonomia e zonës mbështetet kryesisht në bujqësi, çdo ndikim negativ do të kishte pasoja të drejtpërdrejta në të ardhurat e familjeve.

Banorët kërkojnë transparencë nga institucionet përgjegjëse në lidhje me lejet mjedisore, studimin e ndikimit në mjedis dhe masat konkrete që do të merren për të garantuar mbrojtjen e shëndetit dhe të tokave bujqësore.

Komuniteti i bën thirrje autoriteteve vendore dhe qendrore që të zhvillojnë dëgjesa publike dhe të marrin në konsideratë shqetësimet e ngritura, përpara vijimit të mëtejshëm të punimeve.