Opinion nga gazetarja Elisa Kocaqi
Rritja e çmimit të naftës po prek çdo familje në Shqipëri. Nuk është vetëm benzina që shkon më shtrenjtë, është gjithçka që varet prej saj: transporti, ushqimet që sjellin tregtarët, mallrat e përditshme. Një familje që më parë mund të përballonte shpenzimet e zakonshme, tani ndjen një barrë më të madhe. Shumë njerëz po detyrohen të zgjedhin mes nevojave, duke kursyer në gjëra të domosdoshme, si ushqimi apo ilaçet.
Bizneset e vogla janë edhe më të prekur. Çmimi i lartë i karburantit rrit koston e transportit, që do të thotë që ato ose duhet të rrisin çmimet e produkteve të tyre, ose të punojnë me humbje. Shumë biznese të vogla mund të mos i rezistojnë këtyre rritjeve dhe kjo krijon pasiguri për punonjësit dhe klientët.
Qeveria duhet të marrë masa urgjente, sepse çdo ditë që kalon me çmime të larta të naftës, është një ditë më shumë që qytetarët ndjejnë pasiguri për të ardhmen e tyre financiare. Nuk mund të shohim qytetarët të vuajnë dhe të presin pa asnjë mbështetje. Çmimi i naftës nuk duhet të bëhet barrë e pamerituar për xhepat e njerëzve të zakonshëm.
Çdo litër nafte më shumë është një kujtesë se duhet të mendojmë për zgjidhje të qëndrueshme: lehtësime për familjet dhe bizneset, dhe masa për të parandaluar rritje të papritura që godasin më shumë ata që kanë më pak mundësi.
— Drejtuese e portalit






