Ka dështuar seanca e parë në themel në Gjykatën e Posaçme për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, dhe 29 të pandehurve të tjerë mes të cilëve 18 individë dhe 12 kompani. Shkak u bë mungesa e disa prej avokatëve, ku u relatua se nuk kishin marrë njoftim për zhvillimin e seancës.
Vetë Erion Veliaj nuk ishte i pranishëm por kishte nënshkruar një deklaratë, ku shprehte vullnetin se nuk donte të vinte, teksa pretendoi se nuk mund të niste gjykimi në themel, në një kohë që sipas tij nuk është ezauruar qëndrimi i tij në seancën paraprake.
Avokatja e tij e caktuar nga gjykata, Valentina Teodoresku, tha se e ka takuar të mbrojturin prej saj, dhe kërkoi t’i jepeshin të gjitha aktet, pasi nuk ka patur mundësi të mbrohej në seancë paraprake.
Veliaj ka pretenduar se gjyqtarja e seancës paraprake, Etleva Deda i mohoi të drejtën për t’u mbrojtur efektivisht dhe kërkoi përjashtimin e saj, kërkesë që u rrëzua.





