Monika Kryemadhi gjatë një deklarate në “Top Story” ka folur për divorcin e saj me Ilir Metën, duke treguar si u mor vendimi për përfundimin e martesës.
Ajo u ndal edhe te prapaskenat politike dhe mënyra se si është parë brenda LSI-së, duke ndarë disa detaje nga marrëdhënia e saj me ish-partnerin.
“Janë dy momente të vështira për jetën time. Një ka qenë sëmundja, aty ku kuptova sa e brishtë jam, dhe e dyta ka qenë divorci, ku kuptova sa e fortë jam. Vendosa të eci përpara. Nuk më shkon roli i viktimës, sepse është i pasinqertë, unë kam luftuar gjithmonë. E shkuara ka të bukurat e saj, por edhe vështirësitë. Zhgënjehesh kur një kauzë e vogël përdoret për distancim ose përjashtim. Në jetë çiftet kanë ulje dhe ngritje, nuk e mendoja që politika do të ndikonte deri këtu.
Unë kam qenë kërkuese në arenën politike, por jo në familje. Brenda partisë ka pasur gjithmonë ndarje dhe grupe të ndryshme. Në kohën e pushtetit kishte një balancë mes njerëzve të afërt me Ilir Metën dhe të tjerëve që kishin rol institucional. Kur partia u përball me sfida të mëdha politike, u gjend në një situatë të vështirë mes forcave të ndryshme opozitare.
Në takime ndërkombëtare dhe në aksione politike, shpesh ka pasur mosdakordësi brenda strukturave. Proceset si djegia e mandateve dhe bojkotet kanë sjellë debate të brendshme dhe qëndrime të ndryshme. Aksioni opozitar u përball me sfida dhe nuk u zhvillua gjithmonë në mënyrë të unifikuar”, u shpreh ajo.






