Ndoshta po kërkoj shumë pak për kohët që jetojmë.
Por unë nuk dua asgjë më tepër sesa një copëz det për familjen time.
Dua të marr makinën tonë, të ngarkoj tavolinën dhe karriget që i kemi prej vitesh, të mbushim termusin me ujë të ftohtë dhe të nisemi drejt jugut pa kërkuar asgjë nga askush.
Dua të ha tavën që mamaja ime zgjohet në orën 5 të mëngjesit për ta përgatitur me dashuri. Dua të shijoj shalqirin që babai im e ka mbjellë, ujitur dhe rritur me duart e tij. Dua të dëgjoj të qeshurat e familjes sime mbi zhurmën e dallgëve.
Dua të luaj me top me njerëzit e mi. Të shtrihem në rërë. Të shoh detin. Të kaloj një ditë të thjeshtë pa pasur nevojë të ndihem mysafire në vendin tim.
Sepse unë nuk jam kundër zhvillimit. Nuk jam kundër investimeve. Nuk jam kundër askujt.
Por jam pro familjes sime.
Jam pro kujtimeve që nuk blihen me para.
Jam pro atyre mëngjeseve kur një nënë gatuan për fëmijët e saj dhe një baba mbledh frytet e tokës së vet për t’i ndarë me familjen.
Dhe sot pyes me zemër:
A do të mbetet një cep i këtij bregdeti edhe për ne?
Për ne që nuk kërkojmë luks.
Për ne që nuk kërkojmë privilegje.
Për ne që duam vetëm të ulemi pranë detit tonë, të hamë bukën tonë, të qeshim me njerëzit tanë dhe të kthehemi në shtëpi me disa kujtime më shumë.
Sepse ndonjëherë lumturia nuk ka nevojë për shumë.
Ka nevojë vetëm për familjen, për pak qetësi dhe për një copëz det që ta ndjesh ende si tënden.
Elisa Kocaqi / Gazetare







