Dikur njerëzit merrnin një çadër, një termus me kafe, ca domate me djathë dhe niseshin drejt jugut me gëzim. Nuk kishin nevojë për rezervime luksi, shezlongë 50 euro apo porta resortesh që të ndiheshin të mirëpritur. Deti ishte i të gjithëve.

Sot, shumë shqiptarë po e shohin jugun si një vend ku duhet të hysh me “leje”. Çdo cep po mbulohet nga resortet, çdo hapësirë po privatizohet, ndërsa familjet e zakonshme po kërkojnë me zor një vend të vogël ku të vendosin peshqirin.

“Na lini një copë deti…” — kjo është fjalia që dëgjohet më shpesh nga njerëzit e thjeshtë. Sepse jo të gjithë duan luks. Jo të gjithë duan muzikë të lartë, kokteje apo kabina private. Ka njerëz që duan vetëm qetësi, një termus me vete, bukën e shtëpisë dhe zhurmën e dallgëve.

Deti nuk duhet të kthehet në privilegj vetëm për ata që kanë para. Ai është kujtim fëmijërie, frymëmarrje, arratisje nga lodhja e vitit. Është vendi ku prindërit çojnë fëmijët për të kaluar një ditë pa stres, jo për të menduar sa kushton një shezlong.

Sepse në fund, luksi më i madh nuk është resorti.
Luksi më i madh është të ndihesh i lirë në vendin tënd.