Prej tre vitesh, Shqipëria po mbetet pas në rajon për rritjen e pagave, duke u mbështetur më shumë te rritja ekonomike nga administrata publike dhe taksat, sesa nga sektorët realë. Strategjia për rritjen e pagës përmes sektorit publik nuk ka dhënë rezultatet e pritura, ndërsa vendet e rajonit po ecin më shpejt.
Në vitin 2025, paga mesatare bruto në Shqipëri arriti rreth 84 mijë lekë (afërsisht 860 euro), duke mbetur ndër më të ulëtat në rajon, përjashtuar Kosovën. Ndërkohë, Serbia kryeson me rreth 1290 euro, e ndjekur nga Bosnjë-Hercegovina me 1245 euro, Mali i Zi me 1206 euro dhe Maqedonia e Veriut me rreth 1100 euro.
Në të gjitha këto vende, pagat janë dukshëm më të larta se në Shqipëri, me diferenca që variojnë nga 240 deri në 430 euro më shumë në muaj.






