Deputetja demokrate Jorida Tabaku, gjatë një tryeze të nivelit të lartë të organizuar nga Westminster Foundation mbi forcimin e qeverisjes demokratike dhe nxitjen e ndryshimeve transformuese, ngriti shqetësime serioze lidhur me efektivitetin e kontrollit të ligjeve pas miratimit dhe rolin e Parlamentit në garantimin e llogaridhënies.

Sipas Tabakut, përvoja në Kuvend ka evidentuar një problem thelbësor: hendeku mes ligjit dhe zbatimit nuk është i rastësishëm, por strukturor. Ajo theksoi se një pjesë e madhe e legjislacionit, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit, hartohet kryesisht për të përmbushur kritere formale të procesit të integrimit europian, dhe jo për të sjellë rezultate konkrete në praktikë.

Ajo nënvizoi se, edhe pse kuadri ligjor shpesh përputhet në letër me standardet e Bashkimit Europian, mungesa e zbatimit real ka prodhuar rezultate të dobëta në terren dhe ka minuar besimin në reforma.

Një tjetër shqetësim madhor, sipas saj, është dobësimi i rolit mbikëqyrës të Parlamentit. Tabaku theksoi se Kuvendi është reduktuar në një funksion formal, duke vepruar shpesh si një “noter” i vendimmarrjeve të qeverisë. Kjo situatë reflektohet në miratimin e ligjeve pa konsultim të gjerë publik, përdorimin e procedurave të përshpejtuara si rregull dhe jo përjashtim, si dhe në praktikën e paraqitjes së projektligjeve nga deputetët e shumicës për të shmangur filtrat institucionalë.